Konflikti i ‘Gazetarëve’ pa Etikë

Kryeredaktori i portalit hulumtues ‘insajderi.com’ ka pretenduar se kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e ka kërcënuar atë me telefon të dielën e kaluar.

Vehbi Kajtazi kishte publikuar një artikull në lidhje me vëllain e Mustafës i cili kishte kërkuar azil në Gjermani dhe Francë për shkak të gjendjes së tij shëndetsore. Të hënën më 21 mars, ai ka pretenduar se kryeministri Mustafa e kishte thirrur atë në telefonin e tij celular të dielën pasdite. Kajtazi shkruan se Mustafa ishte zemëruar në lidhje me artikullin dhe pretendon se kryeministri i ka thënë se “vëllai i tij ka kancer në fyt dhe se ai do të paguajë shumë për këtë.”

Associated Press ka njoftuar se Isa Mustafa e ka mohuar kërcënimin ndaj gazetarit.

Janë të papranueshme dhe të dënueshme me kushtetutë kërcënimet dhe fyerjet e zyrtarëve të lartë shtetëror ndaj personelit mediatik në vendet demokratike. Por, gazetarët duhet të jenë po aq të përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm ndaj veprimeve të tyre profesionale, duke mos e harruar asnjëhere kodin etik.

Artikulli i ‘insajderi.com’ përpiqet për të vënë në dukje se gjendja e kujdesit shëndetësor në Kosovë është aq e varfër se vëllai madje edhe i kryeministrit duhet të kërkojë azil në BE. Familja në nevojë e Kryeministrit, janë njerëz dhe si të tillë kanë të drejtat dhe liritë e tyre për t’u mbrojtur nga cënimi i privatësisë. Për shkak të një politikani të korruptuar nga koka deri tek këmbët, ne në gazetari nuk guxojmë të cenojmë të drejtën e privatësisë së të tjerëve. Ne nuk mund të përdorim jetët e të tjerëve duke ua cënuar atyre të drejtat për shkak të përpjekjes për të vënë në dukje të këqijat e një politikani. Ka prova të mjaftueshme dhe zhvillime pafund për t’i treguar publikut se si në këtë rast kryeministri ‪Mustafa ka treguar papërgjegjshmërinë, paaftësinë dhe dështimin për të ndërtuar një shtet stabil dhe ekonomikisht të qëndrueshëm për të gjithë.

Palët e përfshira në konfliktin e këtyre ditëve, janë moralisht të papastër. Kryeministri është një politikan dokumentueshëm i korruptuar dhe dukshëm i paedukatë e i mangët në aftësitë e tija për të komunikuar me publikun. Kryeredaktori Kajtazi, është profesionalisht i korruptuar. Gjetjet tregojnë se gazetari Kajtazi është i përfshirë në raporte shpikëse, të cilat i kanë shërbyer administratës së Hashim Thaçit dhe asaj të huaj, për të sajuar një luftë jo-ekzistente në Kosovë. Ai nuk ka kërkuar falje ndaj familjeve, të cilave ai ua ka cënuar të drejtat njerëzore, duke krijuar izolim social dhe rrezikuar liritë civile të individëve dhe grupeve që janë margjinalizuar si pasojë e raporteve të tij -të pambështetura në fakte. Gazetari Kajtazi, ka ri-publikuar në kohën e fushatës parazgjedhore raporte të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat do të mund të kishin një vlerë ligjore për ta nxitur prokurorinë e vendit të merrej me dëshmitë e raportuara, të pretenduara si dosjet e fshehta të NATO-s. Botimi i këtyre dosjeve ishte pretenduar të ishte ekskluziv në vitin 2014, por ato në fakt janë botuar në vitin 2011 nga ‘Global Post’ dhe ‘The Guardian’.

Unë sigurisht që e mbështes protestën e së Martës në ‎Prishtinë kundër dhunës sistematike të zbatuar nga autoriteti vendor e i huaj politik, gjyqësor, ushtarak dhe policor në Kosovë kundrejt lirive të shtypit dhe gazetarëve në përgjithësi. Por, dhuna ndaj personelit mediatik nuk është shfaqur sot, kjo ‘traditë’ kishte filluar që në qershor të vitit 1997, në një incident që shumë individë në lëvizjen guerile e kishin identifikuar si një “ogurzi,” kur një gazetar i Kosovës i cili kishte lidhje të ngushta me lëvizjen, ishte gjetur i vdekur në Tiranë.

“Fytyra e tij ishte ‘shëmtuar’ keq nga therjet e përsëritura me një kaçavidë dhe në fund të prapanicës, i është gjetur një shishe e thyer,” thuhet në një raport të detajuar nga ‘The New York Times.

Reporteri i identifikuar si Ali Uka, ishte mbështetës i lëvizjes kryengritëse, por ai ishte gjithashtu mjaft i pavarur për të kritikuar kryengritjen. Në kohën e vdekjes së tij, ai jetonte në një apartament me Hashim Thaçi, shkruan The Guardian.

Nëntë anëtarë të personelit mediatik në Kosovë kanë vdekur në rrethana të dyshimta gjatë një periudhe 15 vjeçare të pasluftës në vend, duke përfshirë edhe një anëtar nga drejtoria për informim i kabinetit të ish-kryeministrit Hashim ‪Thaçi. Të gjithë autorët janë të lirë.

Është e frikshme që Asociacioni i Gazetarëve, asnjëhere nuk e ka ngritur zërin për këtë. Asociacioni ka dështuar të ndërtoj një strukturë akredituese për veprimtarinë e gazetarëve në vend. Sot në Kosovë secili mund të vetëquhet gazetar.

[pullquote]»Unë në shtatorin e vitit 2015 jam akredituar nga Unioni Kombëtar i Gazetarëve Britanik në Londër. U deshën tre muaj për të verifikuar dhe vlerësuar punën time të deponuar pranë komisionit të akreditimit në NUJ [National Union of Journalists]« Vedat Xhymshiti [/pullquote]

Në Kosovë, secili mund të marrë një akreditim prej gazetari pa asnjë verifikim apo vlerësim. Mungesa e një trupi të tillë për vlerësim të kualitetit profesional dhe monitorim të vazhdueshëm të respektimit të kodit etik të veprimtarisë së gazetarëve, jo vetëm që e vënë në rrezik secilin anëtarë të personelit mediatik në vend, por e vënë në dyshim edhe reputacionin e profesionit prej gazetari, e kjo situatë çon ujë në interes të politikës ditore në vend, e cila dokumentueshëm është e dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme, të cilat kërcënojnë përditshmërinë tonë jetike.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës urgjentisht duhet të shkoj në zgjedhje të reja, pasi udhëheqësia e saj jo vetëm që ka dështuar për të denoncuar veprimtaritë e paligjshme dhe keqpërdorimet e dyshuara të udhëheqësive paraprake të asociacionit, por ata madje kanë lejuar vazhdimisht që politika ditore e huaj dhe vendore të ndërhyjë dhe diktojë politikat e tyre ‘mbrojtëse’, duke e dëmtuar kështu rëndë edhe kuptimin e të qenurit anëtar i këtij mekanizmi që pretendon se mbron të drejtat dhe liritë e gazetarëve në vend. AGK, ka dështuar të reagoj kur mediat në Kosovë nxisin dhunë, urrejtje, gënjejnë në raportet e tyre, madje-madje edhe kanë lejuar që një politikan i huaj, qeveria e të cilit ka qenë e përfshirë në cënimin e të drejtave dhe lirive të gazetarëve, të ndajë çmime për të nderuar punën e gazetarëve.

Kosova është vendi më i varfër dhe më i izoluar në Evropë. Një e treta e fuqisë punëtore është e papunë, dhe korrupsioni është i përhapur kudo. Papunësia e të rinjve [atyre të moshës 25 dhe nën] qëndron në dy nga tre, dhe gati gjysma e 1.8 milion qytetarëve të Kosovës konsiderohen të jenë të varfër. Nga dhjetori 2014 deri në shkurt 2015, rreth pesë për qind e popullsisë ishin detyruar të largoheshin nga vendi në një përpjekje për të gjetur një jetë më të mirë, studime dhe punë më dinjitoze, duke marrë rrugën e pasigurt drejt vendeve më të pasura në BE.

Vetë Isa Mustafa ka premtuar para qytetarëve se do të luftoj korrupsionin, në ditën e themelimit të qeverisë së vendit, në dhjetorin e vitit 2014, por disa muaj më vonë, ai u gjet bashkëfajtor në mesin e shumë rasteve të dyshuara për korrupsion, siç kanë raportuar mediat vendore.

Total
0
Shares
Prev
Çmimet Politike, për Inferiorët e Gazetarisë

Çmimet Politike, për Inferiorët e Gazetarisë

AGK, nuk ka qëndrim të qartë lidhur me krejt këtë gjendje, dhe nuk ka bërë

Next
Berati dhe belaja me Turqinë

Berati dhe belaja me Turqinë

Përgjegjësia etike dhe profesionale e një drejtori të një mediumi që pretendon

You May Also Like