Kredencialet që ndonjëherë nuk kanë kuptim

Epo, unë refuzoj t'i nënshtrohem mendësisë së një njeriu që përpiqet të paraqitet superior siç ishte rasti me Abit Hoxhën dhe me zt. Kelmendin kjo është madje edhe jo...

Të premten mbrëma, më 25 shkurt 2022 u zhvillua një diskutim në hapësirën e cicërimës [Twitter]: https://twitter.com/i/spaces/1BdxYwdQOYXGX… në gjuhën shqipe për cilësinë e raportimit të lajmeve në Kosovë.

U habita se si Abit Hoxha, një mësimdhënës dhe hulumtues i gazetarisë, sikur synonte të shmangte nga përgjegjësia cilësinë e keqe të raportimit të lajmeve. Megjithatë, unë mund të pajtohem me disa prej pikave të tij, por sigurisht që nuk mund të pranoj synimin e tij për të lejuar e pranuar cilësinë e keqe të të të raportuarit, duke bërë krahasim për gazetari të keqe në Serbi.

»Ju duke dështuar që të ofroni një mendim korrekt u përpoqët që t’i shtoni vlerë mendimeve tuaja duke përdorur kredenciale. « Vudi Xhymshiti

Kjo për mua paraqet argument të papranueshëm që synon të krijoj hapësirë manovruese dhe fatkeqësisht, të inkurajojë cilësinë e keqe të gazetarisë në vendin tonë.

Më tej, Abit Hoxha sugjeron një tjetër krahasim thellësisht shqetësues që “…gazetarët punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira”, duke mos e adresuar se përgjegjësi e kujt është fakti që gazetarët punojnë në kushte të tilla.

Më tej, gjatë debatit, një folës i njohur shqiptar i Kosovës, që njihet kryesisht për emisione televizive, përfshihet në debat duke thënë që është duke e vëzhguar këtë diskutim. Por ai nuk e la me kaq. Ai nisi të na sugjeronte se çfarëdo që tha zoti Hoxha është e vërtetë dhe disi një mendim thuajse absolutisht i drejtë. Bëhet fjalë për Adriatik Kelmendin sipas të cilit Abit Hoxha duhet të ketë të drejtë sepse është një studiues që “merret me media. ..” siç u shpreh Kelmendi, duke shtuar që “… unë e njoh Abitin.” Mbase Kelmendi edhe ka të drejtë kur thotë që e njeh Abitin, mirëpo duket se ai harron që ka një ndryshim të madh midis të qenit një person që “merret me median,” dhe një që punon në praktikë si personel i medias. Pastaj, nëse një studiues në njëfarë mënyre tingëllon si arsyetues i cilësisë së keqe të gazetarisë, atëherë nuk më vjen keq të shkruaj që kjo paraqet shpërdorim të pozitës së studiuesit.

Sinqerisht dua të them që reagimi i Kelmendit paraqet pasqyrë të qartë të kulturës dhe të mendësisë klanore. Kelmendi është një nga ata CEO-të në Kosovë që fiton ndoshta të paktën €60,000.00 në vit në një vend si Kosova, me rrogë mesatare mujore prej 250-450 € për një gazetar. Ndoshta edhe e kuptoj motivimin e Kelmendit që u përpoq të patronizonte audiencën mbrëmë në një përpjekje për të argumentuar që Abiti kishte të drejtë, pa u lodhur të thoshte pse, por i vetmi argument i tij i mjerë ishte që “Abiti merret me media”. Mbase Abiti nuk lodhet të kontestoj CEO-të si Kelmendi, të cilët ndoshta edhe janë një prej përgjegjësve pse gazetarët punojnë në kushte të vështira.

Jam i mendimit që, arsyeja pse kushtet e punës së gazetarëve nuk janë të mira në Kosovë, ka të bëjë me kontrollin dhe pushtetin që pronarët dhe CEO-të e mediave duan të ushtrojnë mbi integritetin e gazetarëve. Në këtë mënyrë edhe e shkaktojnë një cilësi të tillë aq pikëlluese të të raportuarit në Kosovë.

Kjo është tragjike.

Duket që në këtë diskutim, mendimet dhe rrogat e dikujt ishin të kërcënuara, prandaj dikush ndjeu nevojën dhe domosdoshmërinë që të përpiqej të mbulohej me shfaqjen e kredencialeve dhe aq më tepër duke pasur mbështetje nga të tjerët siç ishte ajo e Kelmendit, duke u munduar të vërtetonte mendimet e një studiuesi, por në mënyrë superiore, pa u lodhur të thur një argument i cili mbase do të ishte logjik. Dhe meqë tjetri na qenka studiues e punuaka me institucione të rëndsishme, nuk paska rëndësi nëse janë të logjikshme dhe të rëndësishme mendimet tij apo jo.

Epo, unë refuzoj t’i nënshtrohem mendësisë së një njeriu që përpiqet të paraqitet superior, siç ishte rasti me Abit Hoxhën dhe me Adriatik Kelmendin. Kjo është madje edhe joetike. Prandaj, po reagoj nëpërmjet këtij shkrimi sepse është jetike dhe e rëndësishme të dalë në pah kjo mendësi e përpjekje e cekët.

Jemi të vetëdijshëm të gjithë se çfarë ndikimi shoqëror mund të ketë tjetri, në kuptimin e mendësisë kolektive, kur t’i shfletosh disa kredenciale me emra të huaj e të panjohur për publikun tonë. Por, duket se këta harrojnë që ka njerëz gjithashtu me kredenciale që janë të gatshëm t’i sfidojnë këto gabime e këto mendësi.

Me apo pa dashje, një sjellje e tillë prej superiori, është e papranueshme, e mjerë dhe si e tillë, e cekët.

Po ju drejtohem njerëzisht që, pa pasur nevojë t’i nxirrni në pah kredencialet, duhet të jeni në gjendje të jepni një mendim që ka kuptim dhe logjikë të interesit të përgjithshëm, e jo të bëni politikë me mendime, duke përdorur kredencialet kur tjetri ju sfidon. Aman, ju lutem aman. Nuk është viti 1990 që kredencialet të jenë interesante edhe pse janë të rëndësishme në raste të caktuara.

Kredencialet janë të rëndësishme atëherë kur ju aplikoni për një vend pune për t’u verifikuar nëse jeni të kualifikuar për detyrat që pritet t’ju besohen në atë pozitë. Mirëpo, jo në një diskutim të hapur e të lirë publik, përpos nëse dikush ju pyet. Për më tepër, nuk ju pyeti kush për kredenciale.

Unë nuk kam problem me kredencialet tuaja, unë kam problem që mendimet tuaja nuk janë në vijë logjike me kredencialet tuaja, ose të paktën kjo është përshtypja ime. Dhe nëse jepni mendime që janë në kundërthënie me kredencialet tuaja, ju lutem, shpjegojeni se cilat janë motivet tuaja të asaj mendësie që po përpiqeni të arsyetoni cilësinë e keqe të gazetarisë në vend. Mos tentoni t’i mbuloni motivet me kredenciale. Tash madje po hezitoj t’ju quaj edhe të paditur, sepse na folët edhe për kredenciale, por ju ose jeni të paditur, ose të korruptuar, ose kredencialet tuaja janë të dyshimta sepse nuk mund të jeni studiues i gazetarisë e të arsyetoni duke lënë përshtypje që cilësia e keqe e gazetarisë është disi në rregull.

Dhe, meqë jemi tek kredencialet, kjo është arsyeja pse kur marr pjesë në diskutime publike, përpiqem të thur një mendim cilësor e logjik në raport me atë se çfarë po diskutohet me aq sa unë kam njohuri, dhe nuk merrem me kredencialet e mia, sepse jo që është mendësi e dobët për “t’u fryrë gjoja kush qenkam unë,” por është edhe papërgjegjësi sepse mundem edhe të jem gabim kur kam pak kohë për të thur një mendim dhe, nëse e shtoj edhe peshën e kredencialeve të mia në mendimet e thurura gabimisht, atëherë mund t’i detyroj njerëzit të pranojnë mendimet e mia të gabuara si të vërteta. Sa për informim, po i shfaq edhe unë kredencialet e mia.

Karrierën time e kam nisur në shtypin perëndimor të cilët, në periudha të ndryshme, më kanë besuar detyra e përgjegjësi varësisht agjendës së tyre editoriale. Edhe këto medie kanë agjendë të politikave editoriale që ata i hartojnë, mirëpo ajo politikë editoriale ka të bëjë me interesin e publikut, kur bëhet fjalë për politikë të brendshme. E kur bëhet fjalë për interesin e politikës së jashtme të vendit, këto medie kanë politikë editoriale të jashtme në sajë të interesit të vendit prej të cilit vijnë. Ne mund edhe të mos pajtohemi me atë, mirëpo cilëndo punë që ata e bëjnë, e bëjnë cilësore dhe pa shpifje.

Jam nga ata që nuk merrem me gazetari, nuk e studioj, por punoj me kokën lartë, syçelë e me këmbë në tokë, si reporter dhe herë-herë si gazetar dhe fotoreporter. Sa për informim, këto janë kategori profesionale me përgjegjësi krejtësisht të ndryshme. E një studiues mbrëmë e quajti gazetar, një njeri që në fakt kishte rolin e kameramanit ose të operatorit të kamerave gjatë kryerjes së punës së tij.

Por, më lejoni të vazhdoj t’ju “patronizoj” në mënyrë që “t’ju bëj të besoni që çfarëdo që të shkruaj, duhet ta merrni si të vërtetë të pakontestueshme,” siç u la të kuptohet mbrëmë nga reagimi “vëzhgues” i Kelmendit.

Pra, duke qenë anëtar i medieve të shkruara, elektronike dhe pamore në perëndim, që nga viti 2007, mua më është dashur të përzgjedh temën në përputhje me udhëzimet editoriale dhe politikën e organizatës së lajmeve për të cilën punoja. Më duhej të analizoja e të hulumtoja temën prapa tavolinës së punës, të vendosja objektivat dhe të lëvizja për në terren për t’i pyetur njerëzit dhe zyrtarët që kishin të bënin me atë temë, me synimin për të verifikuar të vërtetën e përafërt, jo vetëm në sajë të asaj që ne, pas tavolinës së lajmeve mendonim që mund të ishte përgjigja, mirëpo duhej të ishim syçelë edhe për gjetjet e reja në terren. Dhe, kur ktheheshim në zyrë me lëndën tonë të parë për të prodhuar artikullin, redaktorët tanë dilnin me kërkesa të reja. Kështu kontrolluesit tanë të fakteve verifikonin vërtetësinë e përafërt të fakteve ose të dëshmive që i kishim mbledhur.

Që t’ju patrinizoj edhe më shumë ?? dua t’ju tregoj lexuesve se puna ime është publikuar gjerësisht në media si: New York Times, TIME Magazine, The Guardian, The Sunday Times, The Times of London, Der Spiegel, Paris Match, Al Jazeera, BBC World News, BIRN [Balkan Investigative Reporting Network], Associated Press, Agence France Presse, Getty Images etj. Kjo që po them është lehtësisht e verifikueshme.

Por çfarë do të thotë kjo? Thjesht, kjo ka rëndësi për CV-në time kur t’i paraqitem ndonjë redaksie të re për t’i ofruar shërbimet e mia profesionale. Kjo në asnjë mënyrë nuk i shton peshë ose nuk e vërteton mendimin tim nëse është i palogjikshëm në raport me temën që po e diskutonim mbrëmë.

Nëse disa që folën mbrëmë mendojnë që ata janë njerëzit absolutisht të drejtë, që e dinë se për çfarë jemi duke folur – krejt kjo për shkak të kredencialeve A, B, C dhe D, dhe megjithatë me komentet e tyre synojnë të shtypin idenë që, ne duhet të rrisim cilësinë e raportimit të lajmeve duke e arsyetuar gazetarinë e keqe me mendime të ndryshme sentimentale, atëherë ata bëjnë politikë. Dhe kjo është politikë e keqe. Kjo në fakt është shqetësuese. Kredencialet nuk ju bëjnë juve apo mua një qenie njerëzore moralisht të përgjegjshme. Kredencialet mund të përdoren për të konfirmuar që ju keni kryer detyra të caktuara, por kjo nuk d. m. th. se ajo që e thoni është e vërtetë absolute siç u la përshtypja nga qëndrimi i Kelmendit mbrëmë dhe nëse i përdorni ato kredenciale për të arsyetuar një cilësi të keqe të gazetarisë ?. Kjo është skandaloze.

Ju jeni në anën e gabuar të interesit të publikut. Ju, duke dështuar që të ofroni një mendim korrekt, u përpoqët t’u shtoni vlerë mendimeve tuaja me anë të përdorimit të kredencialeve.

Një mendësi e tillë është e rrezikshme dhe aspak intelektuale.

Edhe pse kemi të drejtë të pajtohemi dhe të mos pajtohemi, kur bëhet fjalë për gazetarinë, gjërat janë të qarta. Asnjë organizatë lajmesh nuk duhet të lejohet, të pranohet apo arsyetohet të shesë informacione që përmbajnë mendim ose interpretim partiak e politik si lajm. Asnjë organizatë lajmesh nuk duhet të lejohet të arsyetohet kur ata manipulojnë dhe helmojnë publikun me informacione dhe gënjeshtra. Nëse ky është parimi me të cilin pajtoheni, atëherë nuk e kuptoj pse duhet të tregoni kredencialet tuaja, përveç se të tentoni të patronizoni dëgjuesin dhe të impononi një pikëpamje të gabuar në mendjet e shoqërisë sonë, duke u përpjekur t’i detyroni ata të pranojnë diçka jocilësore.

Ju sfidoj fort në këtë çështje. Nuk kam qenë kurrë në një situatë ku cilësia e gazetarisë, e raportimit apo e fotogazetarisë sime të vihet në dyshim nga redaktorët dhe kontrolluesit e fakteve me të cilët kam punuar.

Madje ka pasur raste kur edhe kam hulumtuar me vite dhe nuk ia kam lejuar vetës të shkruaj ndonjë gjë lidhur me atë hulumtim, sepse pavarësisht pretendimeve, nuk kam arritur të gjej fakte.

Ju sfidoj vendosmërisht. Ne duhet të këmbëngulim në gazetari cilësore.


Këto janë reagimet e Abit Hoxhës:

Categories
Journals

London based photographer and journalist focusing on the politics of race, gender, identity, migration and displacement of people due to climate change and armed conflict.

RELATED BY

  • Maintaining a united front

    Our founder Vudi Xhymshiti talked to Laura Oliver of Reuters Institute for the Study of Journalism Xhymshiti now runs his own photojournalism and production agency providing production services in...
  • Si zbatohet ligji dhe etika në media?

    ETIKA – Nëse një ngjarje lajmesh ndodh në pronën publike, anëtarët e stafit të medias kanë të drejtën ligjore për të raportuar ngjarjen për sa kohë që nuk ndërhyjnë...
  • 10 Vjet Luftë për Drejtësi

    »Shteti është përgjegjës që më mohon të drejtën për drejtësi, të drejtën për t’u kthyer shëndoshë e mirë në shtëpi dhe për të gëzuar liritë e mia të garantuara...
  • Berati dhe belaja me Turqinë

    Përgjegjësia etike dhe profesionale e një drejtori të një mediumi që pretendon se bënë gazetarinë, është detyrë e tyre për të ndjekur një rrugë moralisht dhe profesionalisht të paanshme...